Në vitin 2023, Baroni Consulting & Legal Services përfaqësoi Familjen Dedja në një proces gjyqësor kundër institucioneve shtetërore lidhur me shpronësimin e disa pasurive të paluajtshme, në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit.
Padia kishte për objekt: Kundërshtimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 416/2022, i cili kishte përcaktuar një vlerë shpronësimi të ulët, jo në përputhje me tregun real; Kërkesën për rivlerësim të drejtë të pronave, përfshirë truall dhe ndërtesa me sipërfaqe mbi 1,300 m²; Detyrimin e institucioneve publike për dëmshpërblim të plotë dhe të drejtë, sipas standardeve të Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Argumentimi ynë ligjor u mbështet në: Shkeljen e nenit 41 të Kushtetutës mbi të drejtën e pronës dhe shpërblimin e drejtë; Parimet e vendosura nga jurisprudenca e GJEDNJ, ku çdo shpronësim duhet të shoqërohet me kompensim të drejtë dhe të plotë; Shkeljet procedurale nga autoritetet publike gjatë vlerësimit dhe përcaktimit të shumës së kompensimit.
Rezultati: Çështja risolli në vëmendje për publikun dhe gjykatat se shpronësimet nuk mund të kryhen me çmime nën vlerën reale të tregut dhe vendosi bazat për një tjetër precedent që garanton respektimin e të drejtave të pronarëve privatë përballë interesit publik.
